
Edhe këtë javë, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve kryesisht të qëndrueshme, megjithatë nën masa ajrore më pak të nxehta sesa javën e kaluar.
Nën këto kushte, moti do të karakterizohet kryesisht me diell gjatë gjithë javës, me përjashtim të së mërkurës, kur priten rrebeshe të izoluara lokale dhe shkarkesa rrufesh. Gjatë ditës së sotme, reshje të izoluara janë të mundshme vetëm në zonat malore, kryesisht në perëndim dhe jug të vendit.
Era do të fryjë nga verilindja dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos gjatë ditës së sotme, me shpejtësi prej 15 deri në 50 km/h.
Në aspektin termik, temperaturat do të pësojnë një ulje prej disa gradësh. Vlerat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale nga 24 deri në 33°C. Parashihet një ngritje e lehtë në mesjavë pas temperaturave më të ulëta në fillim të javës, e më pas një rënie e lehtë në pjesën e dytë të saj. /MeteoKosova/