
Masat e ftohta ajrore me origjinë nga veriu i kontinentit, do të fuqizohen në ditët vijuese, ndërsa sonte apo në mëngjesin e së Shtunës pritet të jetë më e ndjeshme, për shkak të motit kryesisht të kthjellët gjatë natës, duke bërë që temperaturat minimale të zbresin deri në -3°C, ndërsa në zona të veçanta edhe deri në -4°C.
Po ashtu, nëpër lugina dhe ultësira mund të krijohen kushte për mjegull apo vranësira të ulëta gjatë orëve të para të mëngjesit, e cila do të pasohet menjëherë me shtim të vranësira, me ç’rast do të vazhdojnë edhe gjatë ditës, duke mos përjashtuar as intervalet e shkurta me diell.
Të Dielën, një ciklon nga Mesdheu, në kombinim me masat e ftohta ajrore, do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave si dhe reshjet e para të borës në Kosovë.
Megjithatë, bora nuk do të jetë e vetme, ajo do të përcillet lokalisht edhe me reshje shiu dhe shqotë (borë me shi), varësisht nga rrymimet ajrore. Reshjet e borës do të jenë në sasi të pakta apo simbolike, dhe jo të gjitha vendet mund t’i shohin reshjet e borës, sidomos pjesë të Rrafshit të Dukagjinit.
Në relievet malore priten reshje më intensive bore. /MeteoKosova/