
Një front i fuqishëm ka filluar të prekë territorin e Kosovës në skajin verior, i cili po karakterizohet me rrebeshe lokale shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra të forta.
Ndërsa fronti i ftohtë përparon, reshjet pritet të humbasin intensitetin para se të arrijnë jugun e vendit. Megjithatë, stuhia e erës do të vazhdojë të jetë e pranishme, me erëra që mund të arrijnë deri në 100 km/h, duke sjellë rrezik për dëme lokale.
Erërat më të përqendruara dhe më të forta priten të zhvillohen kryesisht në Rrafshin e Kosovës, ku mund të shkaktojnë dëme serioze, si rrëzime pemësh dhe degësh, dëmtime në çati dhe dritaresh, ndërprerje të energjisë elektrike, si dhe vështirësi në qarkullim dhe rrezik për këmbësorët.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale nga 26 deri në 33°C. Gjatë kalimit të frontit, temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, duke zbritur nën 20°C në shkallë vendi, ndërsa në zonat veriore deri rreth 15°C. /MeteoKosova/



