BallinaKuriozitete

Filloi vjeshta astronomike: Sot, më 23 shtator kemi hyrë në stinën e vjeshtës, ditët dhe netët janë pothuajse të barabarta

Sot, më 23 shtator, në orën 02:05, me kohën lokale, ndodhi ekuinoksi vjeshtor, momenti astronomik që shënon fillimin e vjeshtës në Hemisferën Veriore.

Gjatë ekuinoksit, Dielli kalon ekuatorin qiellor në drejtim nga Hemisfera Veriore drejt asaj Jugore, ndërsa rrezet e tij bien drejtpërdrejt mbi ekuator. Në këtë periudhë, të dy hemisferat marrin afërsisht të njëjtën sasi të energjisë diellore.

Në fakt, dita dhe nata nuk janë domosdoshmërisht saktësisht nga 12 orë në ditën e ekuinoksit. Për shkak të përthyerjes së dritës në atmosferë dhe faktit se lindja dhe perëndimi i Diellit përcaktohen sipas skajit të diskut diellor, dita dhe nata bëhen realisht të barabarta disa ditë para ose pas ekuinoksit, në varësi të gjerësisë gjeografike.

Kjo ditë njihet si equilux, term i formuar nga fjalët latine aequus – “i barabartë” dhe lux – “dritë”, dhe i referohet momentit kur periudhat me dritë dhe errësirë janë afërsisht të barabarta. Në gjerësitë mesatare, si në rajonin tonë, equilux-i i vjeshtës zakonisht ndodh disa ditë pas ekuinoksit, ndërsa ai i pranverës disa ditë para ekuinoksit.

Nga ky moment, në Hemisferën Veriore, Dielli do të qëndrojë gradualisht më ulët mbi horizont, ditët do të shkurtohen dhe netët do të zgjaten. Ky proces vazhdon deri në solsticin dimëror, i cili shënon ditën më të shkurtër të vitit.

Ndërsa nga aspekti astronomik vjeshta filloi sot, ndryshimet në mot dhe temperaturë nuk ndodhin menjëherë. Ato ndikohen edhe nga vonesa sezonale e atmosferës, karakteristikat e masave ajrore dhe qarkullimi atmosferik.

Kështu, nga sot kemi hyrë zyrtarisht në një tjetër fazë të ciklit vjetor të Tokës rreth Diellit: vjeshtën astronomike. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!