
Moti gjatë ditëve të para të kësaj jave do të mbetet nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, ndërsa më pas pritet destabilizim gradual i kushteve atmosferike.
Në këto rrethana, gjatë ditës së hënë moti u karakterizua kryesisht me diell dhe me rritje të temperaturave.
Edhe të martën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me rritje të mëtejshme të temperaturave, duke arritur vlerat më të larta për këtë vit. Në orët e mbrëmjes pritet shtim i vranësirave.
Të mërkurën pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa temperaturat do të mbeten të larta. Po ashtu, gradualisht do të shtrihen edhe grimca të pluhurit saharian.
Të enjten, masat e ngrohta do të zëvendësohen me masa më të freskëta dhe më të lagështa, duke sjellë shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu, të cilat do të shoqërohen me baltë si pasojë e grimcave të pluhurit saharian. Temperaturat do të pësojnë ulje.
Të premten, këto masa do të fuqizohen, duke sjellë intensifikim të reshjeve, të shoqëruara me baltë, si dhe ulje të mëtejshme të temperaturave.
Të shtunën do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta shiu dhe baltë. Po ashtu, do të fillojnë të depërtojnë sërish masat e ngrohta.
Të dielën pritet rikthim më i theksuar i masave të ngrohta, ku moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, me mundësi për ndonjë reshje të izoluar. Grimcat e pluhurit saharian do të tërhiqen.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe herë pas here, lokalisht, pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi 15–50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 3 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 26°C. /MeteoKosova/



