BallinaKosovë

ALARM! Nga vera në ‘dimër’ – stuhi të dhunshme, erëra deri në 110 km/h, breshër, dëme, përmbytje dhe temperatura deri në 15°C

Masat e nxehta me origjinë nga Afrika Veriore, të cilat sollën edhe temperaturat më të larta të këtij viti deri në 37 apo 38°C gjatë fundjavës që lamë pas në Kosovë, gradualisht do të pasohen nga masa të ftohta me origjinë polare. Paraprakisht, këto ndryshime do të shoqërohen nga sisteme të njëpasnjëshme me stuhi të fuqishme.

Nën këto kushte, edhe dita e hënë do të nisë kryesisht me diell në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë pasditës pritet të arrijë një sistem i organizuar stuhish, duke sjellë lokalisht rrebeshe shiu, stuhi shumë të forta ere deri në 90 km/h, breshër dhe shkarkesa të fuqishme rrufesh. Si pasojë e reshjeve intensive në një kohë të shkurtër, priten edhe përmbytje lokale.

Edhe të martën, mëngjesi pritet të jetë kryesisht me diell, ndërsa gjatë pasdites, pritet të depërtojë një tjetër sistem i organizuar stuhish si pasojë e frontit të ftohtë. Ky sistem pritet të sjellë lokalisht reshje rrëke, stuhi të dhunshme ere deri në 110 km/h, breshër dhe shkarkesa të ashpra rrufesh. Si pasojë e reshjeve intensive në një kohë të shkurtër, priten edhe përmbytje lokale.

Të mërkurën, gjatë orëve të para të ditës, do të arrijë një tjetër front i ftohtë, i cili do të gjenerojë rrebeshe lokale shiu, erëra të forta dhe shkarkesa rrufesh. Dita do të vijojë me intervale me diell dhe vranësira, ndërsa nuk përjashtohet ndonjë rrebesh i izoluar në zona të caktuara. Temperaturat do të pësojnë ulje në vlerat maksimale.

Të enjten pritet një përmirësim i përkohshëm i motit, i karakterizuar me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa edhe temperaturat do të shënojnë ngritje.

Të premten, një masë e fuqishme e ftohtë me origjinë polare, e shoqëruar nga një presion i ulët që vjen nga Italia, pritet të sjellë reshje shiu në shkallë vendi, lokalisht intensive, si dhe ulje të theksuara të temperaturave. Temperaturat maksimale pritet të lëvizin nga 15 deri në 20°C.

Gjatë fundjavës parashikohet mot kryesisht me diell dhe me ngritje të temperaturave nga dita në ditë. Megjithatë, të dielën në mbrëmje pritet gradualisht të fillojë destabilizimi i motit.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, ndërsa të hënën, e sidomos të martën, gjatë kalimit të sistemeve të fuqishme, pritet të shfaqet në formën e stuhive të dhunshme, me shpejtësi maksimale deri në 110 km/h.

Gjatë kalimit të stuhive, rekomandohet kujdes i shtuar, pasi kushtet mund të përkeqësohen brenda pak minutash. Këto erëra mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme, përfshirë thyerje të degëve të mëdha, rrëzim të pemëve të dobëta, dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet e palidhura mund të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën. Mund të ketë dëmtime në infrastrukturën elektrike, ndërprerje të energjisë dhe vështirësi serioze në qarkullim, sidomos gjatë kalimit të bërthamave të stuhive.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 10 deri në 18°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 35°C. Vlerat më të larta do të jenë në fillim të javës, ndërsa ato më të ulëta të premten. /MeteoKosova/

Related Articles

Back to top button
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!